Vangjush Dako, Alqi Bllako dhe Xhevahir Lita, janë rikthyer sërish në burgun e Durrësit, nga ku u zhvendosën një javë më parë, pasi dyshohej se trajtoheshin me shumë privilegje.
Mësohet se ata janë rikthyer në Durrës mesnatën e dy ditëve më parë, për shkak se pritet të paraqiten në Gjykatë, me arsyetim lehtësimin e distancës.
Vangjush Dako; Lefter Koka; Alqi Bllako; Oltion Bistri; Safet Gjici; Lefter Alla; Dedan Gjoni; Fran Tuci; Xhevahir Lita u transferuan drejt burgut të Fierit më 19 dhjetor, për shkak se drejtoria e burgjeve kishte marrë informacione se trajtoheshin me privilegje në burgun e emërtuar si “VIP” për shkak të gjithë personazheve të njohur që vuanin dënimin aty.
Informacionet dhe kontrollet e policisë erdhën pas ngjarjes së rëndë në burgun e Peqinit ku një i dënuar përjetë vrau me armë zjarri një të burgosur tjetër. Ngjarja ende nuk është zbardhur dhe mister mbetet mënyra se si arma u fut në burgun e sigurisë së lartë.