Vangjel Tavo emërohet Prefekt i Vlorës, shkarkohet nga detyra edhe Rajmonda Balilaj e Fierit

Ish-ministri dhe ish-deputeti i LSI, Vangjel Tavo është emëruar si Prefekt i Qarkut të Vlorës.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave, ndërsa Flamur Mamaj që mbante këtë detyrë, është shkarkuar.

Emri i Tavos u lakua edhe në mediat greke, si i zgjedhuri i kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet në bashkinë e Himarës, pas burgosjes së Fredi Belerit.

Po ashtu Ekathimerini shkruante se kishte pasur një takim mes Ramës dhe Tavos, por ky i fundit në një reagim i konsideroi lajme të pavërteta.

Po ashtu Këshilli i Ministrave ka vendosur lirimin nga detyra të Prefektes së Qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj.

Disa ditë më parë, me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme e pezulloi nga detyra zyrtaren pas dyshimeve se në dy raste ka shkelur barazinë në tendera.