Në procesin ndaj Fatmir Mediut dëshmoi edhe ushtaraku Viktor Përshqeta, i cili tha se ka qenë Oficer Armatimi (Municioni) aktiv për 27 vjet (specialist municionesh).
Ai tregoi se është emëruar në detyrë 8 muaj përpara tragjedisë së Gërdecit, ku me urdhër të eprorëve ka shoqëruar një grup zyrtarësh të kompanisë “Cubic”, të cilët do të bënin inventarizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug.
Sipas tij, ka patur një debat mes Ilmi Laçaj dhe eprorit të tij Dashnor Çaushaj në lidhje me kostot e transportit, me Laçajn që ka thënë se duheshin aprovuar pasi i kërkonte “shefi i madh”, ministri në atë kohë, Fatmir Mediu.
“Jam emëruar 8 muaj përpara tragjedisë së Gërdecit. Me urdhër të eprorëve kam shoqëruar një grup zyrtarësh të kompanisë Cubic, amerikanë, të cilët do të bënin një inventarizim të pronave të ushtrisë nga veriu në jug.
Më ka thirrur në lidhje me urdhërin 20-44, ma ka lexuar urdhrin Ilmi Laçaj, i cili e kishte përpiluar, pasi ishte praktikë pune. Ka patur debate mes Hilmi Laçaj dhe Dashnor Çaushaj, eprori i tij për pikën 6 te urdhrit, që kishte të bënte me kostot e transportit. U tha, urdhrin e kërkon shefi, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
I pyetur nga avokati i Mediut, pse thoni se shefi është Mediu? A nuk është shefi juaj, eprori juaj?
Ai i përgjigjet: “Në zhargonin e zyrës me ‘shef ose shef i madh’ nënkuptonim Ministrin e Mbrojtjes, sepse shefit të shtabit i drejtoheshim me ‘Gjeneral’.”