Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”, që Apeli i GJKKO ka caktuar ndaj tij lidhur me dosjen “Partizani”. Ndërkohë mbështetës të tij janë mbledhur jashtë dyerve të Prokurorisë ku Berisha u ndal edhe në një komunikim për gazetarët.
Berisha tha se me urdhër të Ramës, nuk mund të sulmohet më Prokuroria e Posaçme, pasi sipas tij ka një marrëveshje mes kreut të qeverisë dhe drejtuesit të SPAK. Kryedemokrati tha se deputeti Etjen Xhafaj u bë kurban i kësaj marrëveshjes, pasi një ditë më parë u bë publike ultimatumi që Rama u ka dhënë deputetëve të tij që të mos dalin kundër SPAK, siç kishte bërë ligjvënësi socialist në një intervistë televizive. Sipas Berishës, marrëveshja Rama-Dumani qëndron në faktin për të mos hetuar zyrtarët e lartë.
“Aty gjeta ish xhelatin e sigurimit të Shtetit Arben Kraja që po merrte para nga Benet Beci dhe po pinin kafe. Etjenin e gjeta kurban. Kurban të marrëveshjes Rama-Dumani. Etjeni e shkeli marrëveshjen sipas të cilës nuk mund të sulmohet SKAP-i pa autorizimin e Edi Ramës. Marrëveshja është ndalimi i hetimeve për zyrtarët e lartë dhe pasi dështoi dhe pasi u përpoq të tërheqë opozitën në një akt të papërgjegjshëm, u ul nëpërmjet Iluziut dhe firmosi marrëveshjen. Etjeni kishte mbetur aty, nuk dilte dot nga SKAP-i”, tha Berisha.