Polici i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Fatjon Baci, ka dëshmuar ditën e sotme në SPAK në lidhje me përdorimin e telefonit të tij nga ana e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.
Ai tregoi se gjatë bisedës me familjarët, Veliaj u kishte thënë që duhej të sakrifikonin një nga studentët dhe të futej ai në listat për deputetë, në mënyrë që t’i shpëtonte burgut. Sipas policit, Veliaj kishte thënë se në këtë mënyrë do t’i shpëtojnë burgut edhe Tërmet Peçi me Agron Malajn.
Ndërkohë, gjatë bisedës me familjarët, Veliaj kishte përmendur edhe ministrin Ulsi Manja, për të cilin kishte thënë se e kishte nxjerrë ai deputet në nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut.
“Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet”, tha në dëshminë e tij Fatjon Baci.