Nuk kanë mjaftuar presionet e vazhdueshme nga kryeministri Rama për sistemin e drejtësisë, por mbrëmjen e djeshme ka dalë edhe ish-ministri i Drejtësisë njëherazi kryetar në Komisionin e Ligjeve, Ulsi Manja, për t’u bërë presion gjykatësve.
Në emisionin “Top Story” ai u ka bërë presion publikisht gjykatësve, duke u thënë “t’i vënë gishtin mendjes”, ose në të kundërt qeveria do të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë.
“Kur flasim për drejtësi cilësore, e presim nga peshorja e zonjës së drejtësisë. Edhe prokurori, në ushtrimin e detyrave të veta, ka për detyrë të zbatojë Kushtetutën, por në fund të fundit prokurori kërkon. Ka ardhur koha që sistemi gjyqësor, gjykatësi, të shohë provat dhe t’i bjerë çekiçit të drejtësisë me sytë mbyllur.
U referohem gjykatave të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta. Për gjyqtarët ekziston vetëm prova. Vëreni gishtin mendjes, se do të ndërhyjmë në sistem“, tha Manja.
Ai u pyet edhe për bllokimin e heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut nga mazhoranca, për të cilën tha se Kuvendi ka kohë deri në datën 16 Mars për shqyrtimin e kësaj kërkese, ndaj duhet të sigurohet mirë para se të marrë një vendim.
“Nuk do të shprehem për thelbin dhe përmbajtjen e kërkesës. Por për herë të parë dua t’i them nja dy fjalë. Për ne është shumë e rëndësishëm vendimit të Kushtetueses. Përderisa kryeministri i është drejtuar Kushtetueses, është qëndrim politik. Vendimmarrja nuk ka zvarritje. Kemi thënë që presim këtë vendim, por rregullorja e Kuvendit ia ka përcaktuar limitet kohore Kuvendit për t’u shprehur.
Jo më kot ka thënë Kuvendi që do duhet të shprehet brenda 3 muajsh, dhe nëse nuk shprehet për 3 muaj kërkesa thotë rregullorja konsiderohet e rënë. Këshilli i Mandateve do duhet të shprehet deri nga data 16 mars në mos gaboj, pra jemi brenda afateve procedurialisht.
S’dua të spekuloj me parashikimet për Këshillin e Mandateve, qëndrimin tim do e jap atje, por ama dua të rri pse janë lënë tre muaj, sepse Këshilli i Mandateve, Kuvendi do duhet të sigurohet në të gjitha rastet për kërkesë për autorizim heqje lirie, do duhet të sigurohet për një sërë elementësh që kanë të bëjnë me kërkesën dhe filtri që bën Kuvendi është i natyrës, ‘kjo kërkesë është strikte proceduriale’?
Sa i takon heqjes së lirisë që është masë ekstreme, lëreni Kuvendit dhe Këshillin të bëjë detyrën dhe priteni vendimin sepse sot nuk jemi në kushte që të themi që mazhoranca ka bllokuar SPAK. Nuk kemi bllokuar asnjë hetim”, tha ai.