Nga Giuseppe Sarcina “Corriere della Sera”
Dy vite pa paqe. Dy vite përpjekje të dështuara diplomatike. Askush deri më tani, nuk ka arritur as të nisë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. As Kina dhe India. Të kota ishin edhe përpjekjet e Turqisë, Vatikanit dhe Arabisë Saudite.
Për shumë muaj, amerikanët dhe evropianët janë fokusuar tek kinezët, bazuar në arsyetimin linear:agresiviteti i Vladimir Putin po vë në rrezik stabilitetin e tregjeve dhe tregtisë botërore, prandaj Pekini është interesuar të aktivizohet për të frenuar ushtrinë ruse.
Presidenti amerikan Xho Bajden, i ka kërkuar vazhdimisht Xi Jinping që të ushtrojë presion mbi Moskën. Por ai nuk mori gjë tjetër veç fjalëve boshe. Ashtu si “plani 12-pikësh”, i paraqitur nga vetë presidenti kinez më 24 shkurt 2023.
Paragrafi i parë nuk kishte të sharë:“Duhet respektuar sovraniteti i të gjitha vendeve”, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Mjerisht në të njëjtën kohë, Xi nuk i kërkoi Putinit që të largohet nga territori i pushtuar ilegalisht.
Në çdo rast, në terma konkretë, Xi Jinping s’ka bërë asgjë për të inkurajuar negociatat
reale midis Moskës dhe Kievit. Madje fakti është se ai vazhdoi të mbështesë Kremlinin ekonomikisht. Sikurse thotë me të drejtë një diplomat evropian, Kina “është vazhdimisht
në gatishmëri”.
Ajo vëzhgon, monitoron, por nëse Perëndimi është në vështirësi, ajo nuk lëviz. Zhgënjimi tjetër i madh në lidhje me këtë luftë, mban emrin e Indisë. Në vitin 2023, vendi i madh i udhëhequr nga Narendra Modi mori presidencën të G20-ës, grupi i shteteve që bashkon amerikanët, evropianët, por edhe Rusinë dhe Kinën.
Modi e siguroi Bajden dhe disa krerë shtetesh dhe qeverish evropiane, përfshirë kryeministren italiane Xhorxhia Meloni, se do të punonte për të frenuar rusët. Por edhe
në këtë rast, pati vetëm deklarata të vakëta.
Për këtë mjafton të rilexoni komunikatën përfundimtare të samitit të G20-ës në Nju Delhi,
që mban datën 9 shtator 2023:zhgënjim nga lufta në Ukrainë, por pa përmendur në asnjë moment përgjegjësinë e Vladimir Putinit. Kontributi i Modit për uljen e tensioneve dhe rivendosjen e paqes ishte afër zeros.
Ndryshe ishte niveli i marrëdhënieve ekonomike me Moskën. Për këtë të fundit mjafton
të përmendim një shembull. Vitin e kaluar, India bleu 26 për qind të eksporteve ruse të
naftës, ose 20 herë më shumë në krahasim me vitin 2021.
Qeveria indiane jo vetëm që i shpërfilli sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, por shfrytëzoi rastin për ta futur veten në mënyrë të favorshme në boshllëkun e tregut të krijuar nga evropianët. Duket si gjithçka “legjitime”. Ashtu siç është legjitime të mendosh se pasojat
e “luftës evropiane” nuk i pëlqejnë Modit.
Ndërkohë, kanë dalë huq edhe përpjekje të tjera. OKB-ja u paralizua menjëherë nga vetoja
e Rusisë dhe Kinës. Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, arriti të zbatojë vetëm një iniciativë:hapjen e një korridori detar për eksportin e drithërave të Ukrainës.
Në atë rast, ishte vendimtare ndërhyrja e Rexhep Tajip Erdogan. Megjithatë veprimi i presidentit turk ishte i paqartë, i lëkundur. Ai ishte dakord me furnizimin me dronët turq
të Kievit, por nga ana tjetër refuzoi vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Një politikë e padobishme për të fituar besueshmëri si një ndërmjetës vërtet i besueshëm. Nuk ia doli as Vatikani. Më 30 prill 2023, Papa Françesku njoftoi nisjen e një misioni paqeje. Një muaj më vonë, kardinali Mateo Zupi shkoi në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski. Më pas ndaloi në Moskë, Uashington dhe Pekin.
Por për fat të keq, ai tur prodhoi rezultate të dobëta. U pa se ishte e pamundur nxitja e
një dialogu mes Zelenskit dhe Putinit. Megjithatë, Zupi u përqendrua në dy çështje të rëndësishme:rikthimin e fëmijëve ukrainas të dërguar me forcë në Rusi; dhe shkëmbimin
e të burgosurve.
Më pas erdhi radha e Muhamed Bin Salman, një protagonist i ri por shumë aktiv në lojën diplomatike botërore. Në datat 5 dhe 6 gusht të vitit të kaluar, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite organizoi në Xhedah një konferencë ndërkombëtare, ku marrin pjesë përfaqësues
të 38 vendeve, përfshirë Kinën dhe Indinë.
Edhe një herë të gjithë pjesëmarrësit në samit, e njohën parimin “e paprekshmërisë së integritetit territorial”. Por sërish diplomacia nuk arriti të japë frytet e saj. Pas 2 vitesh nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, bota mbetet pa rrjeta sigurie, dhe pa asnjë rrugë të qartë që mund të na çojë drejt paqes.