Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi ka qëndruar mbi 3 orë në ambientet e SPAK, ku u pyet për inceneratorin e Tiranës.
Jashtë dyerve të SPAK, Agaçi konfirmoi se u pyet për aferën e inceneratorit të Tiranës, ku hetimet tashmë janë drejt fundit. Në një komunikim të shkurtër, Agaçi tha se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë dhe se thirrja në SPAK sipas tij, nuk përbën lajm.
“U thirra për inceneratorin e Tiranës. Ky nuk duhet të përbëjë një lajm, të gjithë duhet të jemi në dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë. Ju uroj punë të mbarë dhe shumë faleminderit”- tha ai për gazetarët.
Kjo është hera e dytë që Ëngjëll Agaçi thirret në SPAK, pasi më herët ai është pyetur për inceneratorin e Elbasanit.
Dy ditë më parë në SPAK u pyet edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që deri më tani i vetmi që nuk është thirrur është kryeministri Edi Rama.
Ëngjëll Agaçi është akuzuar nga opozita si “truri” i inceneratorëve, i cili është marrë me të gjitha dokumentacionet e kësaj afere. Emri i tij u përmend edhe në reportrazhin e televizionit italian RAI, ku Agaçi cilësohej si avokati i bosëve të mafias italiane.