U mor sot në pyetje nga SPAK, Berisha “nuk përmbahet”, sulmon edhe Altin Dumanin

Ish-kryeministri, Sali Berisha, edhe këtë të martë ka folur për mbështetësit e tij, të cilët ishin mbledhur poshtë banesës së tij. Berisha që ndodhet në “arrest shtëpie” për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, u paraqit sot në SPAK ku u mor në pyetje.

Ndërkohë ai ka sulmuar kreun e SPAK, Altin Dumanin dhe prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Posaçme. Ai u është drejtuar demokratëve duke i pyetur se çfarë dallimi ka “kreu i SPAK, Altin Dumani me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin”.

“Do të ju pyes unë ju, çfarë dallimi ka Nuredini, Dumani me Altin Dumanin. Nuredini është një serial killer, por i penduar, ndërsa Altini i shet dosjen me horrat e tij në Skapin e partisë. Dosjen e pendesës.  Çfarë dallimi ka Altini nga ai i cili ka vjedhur me firmën e tij jo 10, por mbi 130 mln Euro mbi djegësin e Tiranës, pra Rama e Veliaj që janë zhdukur pa nam e nishan.

Kurse ky përdor pushtetin si kriminel i vërtetë për të shpallur amnistinë e tyre.  Çfarë është ky mercenar i cili me urdhër të Lindës, Linda Ramës, Lindës së Surrelit, prish dosjen dhe e shpall në ‘arrest’ Arben Ahmetajn.  Në një kohë kur burri i Lindës kishte firmosur procedurën antiligjore”- tha ndër të tjera Berisha.