U filmuan teksa merrnin para, SPAK çon për gjykim 3 zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe 2 mjekët që i korruptuan

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim 3 zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, të akuzuar për koprrupsion pasiv. Bëhet fjalë për tre inspektorë të Ministrisë së Mjedisit, Ilir Nishanit (vëllai i ish presidentit Bujar Nishani), Genci Hickës dhe Gerson Tafës, të cilët akuzohen për korrupsion.

Po ashtu për hetim janë dërguar dhe dy mjekët Konstandin Balloma dhe Besim Boҫi të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal.

Hicka, Tafa dhe Nishani ishin inspektor të Ministrisë së Mjedisit dhe i kishin kërkuar klinikës ku punonin Balloma dhe Boçi, 30. 000 lekë që mos t’i vinin gjobë për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Ishte vetë mjeku Konstandin Balloma që kallëzoi në SPAK se tre inspektorët e mjedisit i kishin shtrënguar për të dhënë paratë, të cilat kishte deklaruar se i kishte dhënë. SPAK i ka marrë të pandehur në 2021 tre inspektorët e Mjedisit, por nuk kishte ngritur akuzë për mjekët. Inspektorët nga ana e tyre pretendojnë që nuk i kanë marrë paratë. Dy mjekët janë marrë të pandehur për akuzën për korrupsion aktiv.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 29.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve Genci Hicka, Ilir Nishali dhe Gerson Tafa, të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurve Konstandin Balloma dhe Besim Boҫi të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal.

Në seancën e datës 12.02.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (seanca paraprake) me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 39 Regjistri Themeltar, datë 12.02.2024 vendosi:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

Genci Hicka, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;

Ilir Nishani, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;

Gersion Tafa, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;

Konstandin Balloma, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal;

Besim Boҫi, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal;

Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 12.02.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar