“U bë deti kos”, Rama nuk i ndahet SPAK dhe GJKKO: E duan rrogën 9230 Euro

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin social X pas deklaratave të Shoqatës së Gjyqtarëve.

Më herët gjatë ditës, Rama tha se magjistratët kishin bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rritje të rrogës me 1600 euro mbi atë aktuale, teksa shton se prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO kërkojnë rritje edhe më të madhe, madje duke i irozinuar.

Për këta të fundit, Rama thotë se kërkojnë 3100 euro rritje page. Sipas Ramës, përderisa kompetencat e drejtësisë kanë arritur deri në atë pikë që të pezullojnë zv. kryeministren nga detyra vetëm me një vendim gjykate, atëherë ata kanë pushtetin e mjaftueshëm për t’ja rritur vetes pagën aktuale.

Kreu i qeverisë thotë se nuk e ka hallin tek një ministër duke iu referuar Belinda Ballukut, e pezulluar nga detyra me vendim te GJKKO, po siç pretendon ai, tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve.

“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!

Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!

Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj.

Si ka mundësi?! Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?! Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?