Teksa seanca plenare po zhvillohet me debate të forta, jashtë Kuvendit opozita po proteston. Situata ka përshkallëzuar pasi protestuesit u kanë vënë flakën disa gomave jashtë Kuvendit.
Ndërkohë protestuesit kanë hedhur edhe vezë në drejtim të forcave të policisë, të cilët janë të shumtë të numër. Por situata u tensionua sërish brenda sallës së Parlamentit ku pati një përplasje mes deputetit të PD Flamur Noka dhe kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Kjo e fundit vendosi më pas përjashtimin e Nokës, për shkak të fjalorit të pahijshëm që përdori në seancë
“Z.Noka jeni i përjashtuar nga seanca për gjuhë të pahijshme që përdorni. Turp të kesh, të të vijë zor nga vetja, je i përjashtuar nga seanca”- u shpreh Nikolla.
Ndërkohë që deputeti Flamur Noka nuk ka pranuar që të largohet nga salla, Lindita Nikolla ndërpreu seancën për 5 minuta.
Që në nisje, Parlamenti është përfshirë nga tensionet pasi deputetët e PD kërkojnë futjen e Sali Berishës në grupin parlamentar.
Por kërkesa u refuzua nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila tha se Berisha është përjashtuar me vendim partie dhe nuk mund të futet me vendim grupi.