Presidenti i Donald Trump deklaroi se Marina amerikane do të nisë menjëherë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, duke rritur ndjeshëm tensionet pasi bisedimet maratonë me Iranin dështuan të arrijnë një marrëveshje për përfundimin e luftës. Ky zhvillim vë në rrezik edhe armëpushimin e brishtë dyjavor mes palëve.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se SHBA do të ndalojë çdo anije në ujërat ndërkombëtare që ka paguar tarifa ndaj Iranit dhe do të nisë pastrimin e minave detare, të cilat sipas tij janë vendosur nga Teherani në këtë rrugë strategjike.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për furnizimin global me energji, pasi rreth 20% e tij kalon përmes saj.
“Me efekt të menjëhershëm, Marina e Shteteve të Bashkuara do të nisë procesin e bllokimit të çdo anijeje që tenton të hyjë apo të dalë nga Ngushtica e Hormuzit”, deklaroi Trump.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo anije që ka paguar “tarifa të paligjshme” ndaj Iranit nuk do të ketë kalim të sigurt, ndërsa kërcënoi me reagim të ashpër ndaj çdo sulmi nga ana iraniane.
Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për dështimin e negociatave që synonin t’i jepnin fund gjashtë javëve luftime, të cilat kanë shkaktuar mijëra viktima dhe kanë tronditur ekonominë globale, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan, u shpreh se mungesa e marrëveshjes është më e dëmshme për Iranin sesa për SHBA-në.
Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Baqer Qalibaf akuzoi Uashingtonin për mungesë besimi, pavarësisht propozimeve që ai i cilësoi si “iniciativa për të ardhmen”.
Edhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi ishte pjesë e delegacionit në këto bisedime, të cilat ishin takimi i parë i drejtpërdrejtë mes SHBA-së dhe Iranit pas më shumë se një dekade.
Sipas Trump, arsyeja kryesore e dështimit ishte refuzimi i Iranit për të hequr dorë nga ambiciet bërthamore.
Ndërkohë, media iraniane raportuan se kërkesat “të tepruara” të SHBA-së penguan arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbeten Ngushtica e Hormuzit dhe programi bërthamor i Teheranit.
Irani kërkon kontroll mbi këtë rrugë detare, dëmshpërblime lufte, heqjen e sanksioneve dhe akses në asetet e ngrira jashtë vendit.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit Ishaq Dar theksoi se është “jetike” ruajtja e armëpushimit, ndërsa përpjekjet për uljen e tensioneve vazhdojnë.
Nga ana tjetër, ministri izraelit Zeev Elkin paralajmëroi se “Irani po luan me zjarrin”, duke lënë të hapur mundësinë për negociata të tjera.
Ndërkohë, Izraeli ka vijuar sulmet ndaj militantëve të Hezbollah në Liban, duke theksuar se ky konflikt nuk është pjesë e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit.
Pavarësisht situatës së tensionuar, disa anije cisternë kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa qindra të tjera mbeten të bllokuara në pritje gjatë periudhës së armëpushimit.
Objektivi minimal i SHBA-së, sipas Trump, mbetet garantimi i lirisë së lundrimit në këtë rrugë jetike dhe kufizimi i programit bërthamor të Iranit.
Teherani, ndërkohë, vazhdon të mohojë se synon ndërtimin e një arme bërthamore.