Trump: Do të përpiqem të rikthej territore për Ukrainën në bisedimet me Putinin

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të përpiqet të rikthejë disa territore të pushtuara për Ukrainën gjatë takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin, i cili pritet të mbahet të premten në Alaskë.

“Rusia ka pushtuar një pjesë të madhe të Ukrainës. Kanë zënë territor kryesor. Do të përpiqemi të rikthejmë disa nga ato territore për Ukrainën,” tha Trump në një konferencë për shtyp.

Ai e përshkroi takimin si një bisedë “për t’u ndjerë terrenin”, me synimin për t’i bërë presion Putinit që t’i japë fund luftës. Sipas Trump, mund të ketë “shkëmbime apo ndryshime territoresh”, megjithëse nuk dha detaje se cilat territore Rusia mund t’i kthente.

Kjo nuk është hera e parë që Trump përmend idenë e “shkëmbimit të tokës”, ndonëse mbetet e paqartë se për çfarë bëhet fjalë, pasi Ukraina nuk ka pretenduar ndonjëherë territore të Federatës Ruse.

Trump shtoi se nëse arrihet një “marrëveshje e drejtë”, do të informojë liderët evropianë, por së pari do të flasë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Do ta telefonoj më parë… edhe pas takimit. Mund t’i them: ‘shumë fat, vazhdo luftën,’ ose mund t’i them: ‘mund ta bëjmë një marrëveshje’,” u shpreh Trump.

Megjithëse tha se ai dhe Zelensky “merren vesh”, Trump shtoi se “nuk pajtohet aspak me ato që ka bërë” presidenti ukrainas. Trump ka fajësuar më parë Zelenskyn për luftën, që shpërtheu pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Takimi me Putinin u shpall javën e kaluar, në të njëjtën ditë kur skadoi afati që Trump i kishte vendosur Rusisë për të pranuar një armëpushim, ndryshe do të përballej me sanksione të reja nga SHBA.

Presidenti ukrainas Zelensky reagoi pas njoftimit për takimin, duke thënë se çdo marrëveshje e arritur pa pjesëmarrjen e Ukrainës do të jetë një “vendim i vdekur”.