TRAGJEDIA E OTRANTOS/ “Nuk keni kërkuar falje për anijen Sibila”, Giorgia Meloni i shmanget pyetjes së gazetarit

Pyetja e gazetarit Sokol Balla drejtuar kryeministres italiane për faktin se Italia nuk ka kërkuar ende ndjesë për tragjedinë e Otrantos, ku anija Sibila fundosi anijen shqiptare Kateri i Rades, nuk i ka pëlqyer Giorgia Melonit.

Ajo ka zgjedhur të mos e komentojë fare këtë pjesë, por i është përgjigjur vetëm pyetjes së parë të gazetarit, se çfarë do të bënte Italia nëse do të kishte një problem mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në përgjigjen e saj, Meloni tha se i njeh mirë miqtë grekë, dhe se do të mbështesë Shqipërinë duke respektuar të gjitha rregullat.

“Sa i takon çështjes së hapjes së dialogut politik, ne jemi mbështetës të Shqipërisë duke respektuar sigurisht rregullat. Fakti që do përfundonin marrëveshjet teknike tregon një punë të madhe të bërë nga ana e Shqipërisë. Çfarë  bëjmë ne është të japim ndihmën tonë 360 gradë. E di që ka disa fërkime, i njoh miqtë e mi grekë. I njoh, janë njerëz që kanë punuar për të ardhmen e Europës”, tha Meloni.

Në ndihmë të saj erdhi edhe kryeministri Rama, i cili mori fjalën menjëherë dhe vijoi të fliste për bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe për ndihmën që Italia i dha vendit tonë gjatë tërmetit të vitit 2019.

Por, në fund, pyetja kryesore mbeti pa përgjigje, dhe as kryeministrja Meloni nuk denjoi të kërkojë falje për atë tragjedi, ku mbetën të vdekur 81 persona, shqiptarë që po largoheshin drejt Italisë për një jetë më të mirë.