Trafikuan 660 kg lëndë narkotike, zbardhen emrat e shqiptarëve të arrestuar në Itali

Një operacioni i koduar “Family” i Policisë italiane të Sardenjës ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh italo-shqiptarë të akuzuar për trafikun e 660 kg lëndë narkotike me vlerë fitimi 8 milionë euro.

40 persona janë kapur dhe ndaj tyre janë vendosur masa sigurie, ndërsa në ekzekutimin e operacionit morën pjesë 300 forca policie.

Mes të arrestuarve ka edhe shqiptarë, emrat e të cilëve janë publikuar nga mediat italiane. Mësohet se në pranga kanë rënë Elton Barja, 44 vjeç; Klodjan Doda, 43 vjeç; Gentjan Hoxha, 35 vjeç; Sokol Keçi, 52 vjeç; Genci Kormaku, 54 vjeç. Në masën ‘arrest shtëpie’ është vendosur Frederik Velaj, 46 vjeç.

Në krye të grupit kriminal ishte një burrë nga Quartu Sant’Elena, i cili menaxhonte marrëdhëniet me Spanjën për importin e hashashit dhe me Shqipërinë për kokainë.

Sipas hetuesve, ai koordinonte dy grupe të tjera kriminale: një që vepronte në Quartu dhe merrej me trafikun e drogës në zonën e Cagliarit dhe një në Sassari. Gjatë hetimeve, të cilat kanë zgjatur disa muaj, janë sekuestruar sasi të mëdha hashash, marijuanë dhe kokainë.