Trafikuan 2.4 ton marijuanë e kokainë, Apeli i GJKKO lë në burg 8 anëtarët e grupit Rraja

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për 8 prej pjesëtarëve të grupit Rraja, mes tyre dhe djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rexhep Rraja.

Apeli i GJKKO konfirmuar masat ndaj Islam Sefës, Rexhep Rrajës, Përparim Rrajës, Gazmir Rrajës, Aldo Gjinit, Zamir Aliajt, Jani Cavos dhe Marvin Bushatit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi Rraja së bashku me 2 grupe të tjera, kanë trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së. 

SPAK zbardhi edhe tre episode droge nga vitet 2020-2021.

Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

–      Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.

–      Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.