Trafikoi 3.3 milionë euro drogë në Gjermani, SPAK kërkon 17 vjet burg për Islam Sefën

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën duke kërkuar 17 vjet burg për Islam Sefën, i akuzuar për trafik lëndësh narkotike.

Por i pandehuri, ka pranuar gjykim të shkurtuar dhe në rast se shpallet fajtor ai dënohet me 11.4 vjet bur, pra ulje me 1/3 e dënimit të kërkuar nga Prokuroria.

Ai u arrestua në korrik të 2024, 100 metra larg godinës së SPAK, ku kishte shkuar për një takim me avokatin.

Sakaq, Sefa u prangos në një lokal pranë godinës së SPAK, ndërsa akuzohet se është drejtuesi dhe financuesi i trafikut të drogës në Gjermani me vlerën e 3.3 milionë eurove.

Sipas SPAK grupi kriminal, gjatë viteve 2020-2021, kanë importuar në Republikën Federale Gjermane, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuana.

Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, tregëtohej në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

“Gjatë hetimeve janë evidentuar  9 (nëntë) episode dhe është provuar se sasia e lëndës narkotike të trafikuar është 912 kg marijuanë, kurse vlera e lëndës narkotike të trafikuar kap vlerën prej 3.374.400 (tremilionë e treqindë e shtatëdhjetë mijë e katërqind) euro”, njoftonte SPAK.