Tom Doshi për herë të parë në SPAK: Isha për zgjedhjet e 2023 në Rrogozhinë, kam takuar një person që ishte në përgjim

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Tom Doshi u shpreh para gazetarëve se u pyet për zgjedhjet në Rrogozhinë në vitin 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga ana SPAK. 

Doshi tha se bëhet fjalë për një hetim për kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla.

“Është normale të na thërrasë prokuroria ne. Për zgjedhjet në Rrogozhinë,për Edison Memollën, për zgjedhjet 2023. Kam bërë një takim në Rrogozhinë unë dhe personi që kam takuar ka qenë në përgjim dhe kaq. Me pyetën a keni dijeni. Po bëhet hetimi, për të gjitha ata…për kryetarin e bashkisë”, tha ai.

I pyetur nëse do të votojë për shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme, ai u shpreh se e ka mbështetur dhe do ta mbështesë reformën në drejtësi.

“Asnjëherë! E kam mbështetur reformën në drëjtësi dhe deputetët tanë edhe sot në parlament edhe mandatin tjetër..edhe mandatin tjetër…do ta mbështesin SPAK”, tha ai.

Gjykata e Posaçme ka dënuar me një vit burg kryetarin e bashkisë së Rrogozniës Edison Memolla. Zyrtari i lartë vendor u gjet fajtor për akuzën e korrupsionit në zgjedhje, por për shkak se hetimet ndaj tij janë zhvilluar në gjendje të lirë nuk do të izolohet në qeli, deri në një vendim të formës së parë, që pritet ta japë Gjykata e Apelit.

Nëse shkalla e dytë do të lerë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme, atëherë Memolla do të duhet të izolohet për të vuajtur dënimin me 1 vit heqje lirie.