The Telegraph zbulon shifrat: Një në 50 shqiptarë në Angli është në burg

Një në 50 shqiptarë që ndodhen në Angli, janë pas hekurave. Sipas një analize nga The Telegraph të të dhënave zyrtare, më shumë se 1,200 nga 53,000 shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe, të cilët nuk kanë shtetësi britanike, janë pas hekurave.

Shqiptarët kryesojnë listën me mbi 130 kombësi të të burgosurve në vend. Pas shqiptarëve, vijnë shqiptarët e Kosovës dhe vietnamezët, algjerianët, xhamajkanët, eritreasit dhe irakenët. Nga ana tjetër, numrin më të ulët të të burgosurve e kanë shtetasit gjermanë, italianë, indianë, grekë, amerikanë, francezë dhe kinezë.

Të dhënat tregojnë se numri i shtetasve të huaj të burgosur është më i lartë se ai i anglezëve të burgosur në Britaninë e Madhe.

Analiza e medias britanike sugjeron se shkalla e përgjithshme e burgimit të shtetasve të huaj është 27 për qind më e lartë se për qytetarët britanikë. 

Deputetët e lartë konservatorë kanë kërkuar nga qeveritë konservatore dhe ato laburiste të publikojnë të dhëna si Danimarka dhe disa shtete të SHBA-së që do të mundësonin hartimin e tabelave të nivelit të krimit të emigrantëve të çdo kombi.

Ndërsa të dhënat për kombësitë në mesin e popullatës së burgosur zbulojnë shkallën e krimeve të rënda të kryera nga shtetas jo të Mbretërisë së Bashkuar, informacioni për veprat penale të kryera nga migrantët për të cilat ata nuk janë të burgosur nuk publikohen.