Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat për pengim të drejtësisë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së dytë kundër tij, për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, njoftoi të martën gjykata.

Gjykata Speciale tha se Thaçi u deklarua rreth fajësisë së tij në formë të shkruar më 6 janar, pasi nuk kishte pranuar të deklarohej para gjykatëses së procedurës paraprake në dhjetor.

“Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftim.

Aktakuza e re kundër Thaçit dhe katër personave të tjerë, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut – u konfirmua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Prokurori Joshua Hafetz ka thënë se prokuroria synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë për të dëshmuar kundër Thaçit dhe katër të dyshuarve të tjerë në gjyqin për pengim të drejtësisë.

Derisa Thaci Kuçi, Kilaj dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm, Smakaj nuk është deklaruar ende.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

Thaçi e ka përsëritur, të paktën dy herë në javët e fundit, domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës nga Specialja, teksa ka përmendur se dy aktakuzat kundër tij janë ngritur vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

“Unë nuk jam pjesë e garës politike dhe as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike. E theksoj që nuk jam pengesë dhe as nuk paraqes rrezik për askënd, në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”, ka thënë Thaçi në gjyq./REL