“Terror, Luftë Civile, PS të denoncojë origjinën e saj”, qendrimet e Edi Ramës për luftën para se të bëhej kreu i PS

Edi Rama ishte ndër të parët në Shqipëri që denoncoi krimet e diktaturës fill pas rënies së saj. Në 1991, ai botoi një libër bashkë me Ardian Klosin “Refleksione”, i cili tronditi opinionin publik. Edi Rama shkruante asokohe se PS duhet të denonconte të kaluarën e saj kriminale, të pranonte që komunistët dhe Enver Hoxha kryen luftë civile apo se vdekja e 28 mijë dëshmorëve ishte një mit. 

Por ndryshe më pas, Edi Rama nuk ka folur qartë për këtë çështje, madje ai ka mbajtur edhe qendrime të ndryshme të tilla si “komunistët ishin në anën duhur të historisë”. Si kreu i PS apo si kryeministër, Rama i ka qendruar larg trashëgimisë kriminale të Partisë Komuniste. 

Ja çfarë shkuan Edi Rama në 1991: 

Për ata që mund ta kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me një referendum pas lufte. Kurse Kongresi i Përmetit me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike.

Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin. Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme.

U ulëm të zbërthenim mitologjinë e 28 mijë dëshmorëve. Gjaku i rremë në themel të kolltuqeve nisi tërmetin. Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllave. Histeria e luftës për pushtet që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë që ka qenë thelbi i çdo lëvizjeje komuniste, është shkaku i vetëm që ajo luftë kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile. Pra çështja e pushtetit është argumenti që zbulon edhe shkakun e tradhtisë që komunistët i bënë demokracisë dhe kombit shqiptar. Prandaj dhe nuk kanë asnjë kuptim thirrjet për harresë dhe për mbyllje dosjesh, kur nuk janë zgjidhur problemet kardinale si Lufta Civile, terrori ndaj inteligjencës e ndaj klerit menjëherë pas luftës dhe në faza të mëvonshme, terrori ndaj rezistencës së organizuar antikomuniste deri në periudhën 1952-1953, qëndrimi ndaj emigracionit politik. Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare.