Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, në vijim të përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindjes së Mesme, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.
Ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, shtetasit e Republikës së Shqipërisë të cilët gjenden aktualisht në rajon këshillohen:
• Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
• Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;
• Të respektojnë dhe ndjekin në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;
• Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;
• Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.
Në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë sesa vendet e prekura deri tani mbetet një mundësi reale, dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse.