Tensione të forta ka pasur në seancën e sotme për dosjen “Plumbi i artë”. Avokati Ilirian Dyzeni, mbrojtës i Besian Xhixhës, pretendoi se u kërcënua nga i penduari Nuredin Dumani.
Avokati braktisi seancën, duke thënë me zë të lartë “Nuk toleroj mua të më kërcënojë dikush në sallë dhe prokurori të mos reagojë. Nuk mund të më bëjë ai presion mua. Nuk dëgjoj unë atë të më thotë “të fus në listë, je në ofertë”.
Ndërkohë gjykata urdhëroi punonjësit e policisë që të largojnë nga salla Nuredin Dumanin dhe seanca u ndërpre për pak minuta. Më pas seanca rifilloi dhe avokati u rikthye në sallë.
Në seancën e sotme, Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë zbërthyer skemën për vrasjen e Lulzim Mashës. Hoxhaj tha se qëllimi ka qenë vrasja e djalit të Mashës. Ai shtoi se kishin pritur gati një vit për të realizuar atentatin, por për shkak të mungesës së djalit, vendosën të kryenin atentatin ndaj Lulzim Mashës.
Henrik Hoxhaj: Është marrë porosia për vrasjen e djalit të Lulëzim Mashës, nuk u gjet ai. Dhe vajtëm te i ati në nënyrë që ai të vinte në varrim. Nuredin Dumani ma solli mesazhin me screenshot nga “sakati”, Aleksandër Baho. E kam shprehur këtë në deklarimet e mia.
Dumani, në një tjetër moment të dëshmisë, tha se nuk i kujtohej që porosia të kishte qenë për djalin e Mashës, por sipas tij, kishte marrë përsipër që të kryente atentatin ndaj vetë Lulzim Mashës, në bazë të marrëveshjes me Suel Çelën.