Të mërkurën homazhet për Ismail Kadarenë

Të merkurën në orën 11:00 do të mbahen homazhet për shkrimtarin e madh, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të hënë në moshën 88 vjeçare. Mësohet se ceremonia mortore e Kadaresë do të bëhet nga Kryeministria.

Për kulturën dhe artin shqiptar, ky fillim muaji ishte i trishtë, pasi Ismail Kadare nuk do të jetë më mes nesh.

Për ndarjen nga jeta të gjeniut të letrave pati mesazhe ngushëllimi nga krerët e politikës, artistë të ndryshëm ndërsa zuri edhe vëmendjen e mediave botërore.

Prestigjiozja “New York Times” e cilëson Kadarenë si njeriun që me novelat e tij i tregoi botës gjendjen e vështirë, me të cilën përballej Shqipëria gjatë regjimit komunist.

E përditshmja prestigjioze franceze “Le Monde” e vendos atë në të njejtin piedestal me ikona të letërsisë botërore si Xhorxh Oruell e Franc Kafka. “Le Monde” shkruan se Kadare u propozua shpesh për të fituar çmimin “Nobel” për veprat e tij që gërmonin thellë në mitet dhe historinë e vendit për të zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit.

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.