Teksa numri i turistëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, me qytetarë nga e gjithë bota që vijnë për të vizituar bukuritë e Shqipërisë, edhe Kampionati Europian ka bërë që të flitet për vendin tonë.
Goli rekord i Nedim Bajramit ndaj Italisë dhe barazimi heroik në minutat e fundit ndaj Kroacisë, ka bërë që faqet e njohura sportive të shkruajnë edhe më shumë për Shqipërinë.
Një nga faqet më të ndjekura në Instagram për futbollin, “Football Joe”, bën një foto përmbledhëse të secilit shtet, ku përfshihet kryeqyteti, popullsia, pjata tradicionale, birra më e njohur, renditja në FIFA, lojtari më i mirë në histori dhe një fakt i çuditshëm.
Për Shqipërinë, kryeqyteti është tirana, ndërkohë që popullsia është shënuar 2.8 milionë banorë, që duket se është marrë nga “Wikipedia”, pasi numri i banorëve në Shqipëri është më i ulët.
Si pjatë tradicionale kanë vendosur tavën e kosit, ndërsa birra e preferuar e shqiptarëve për “Football Joe” është Birra Tirana. Shqipëria renditet e 66-a në botë në renditjen e FIFA, ndërkohë që lojtari më i mirë në histori është Panajot Pano.
Te fakti i çuditshëm, faqja angleze ka përmendur 750 mijë bunkerët e ndërtuar nga ish-diktatori Enver Hoxha.
