Ish-ministrja, aktualisht deputete e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali i është përgjigjur Taulant Ballës, i cili më herët gjatë ditës tha se do të mbledhë grupin socialist për të marrë një vendim lidhur me mungesën e saj në seancën parlamentare ku do të votohej për imunitetin e Belinda Ballukut.
“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, tha Balla i pyetur nga gazetarët.
Në një postim në rrjete sociale, Spiropali i kthehet Ballës duke i thënë se nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.
“Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr”- shkruan Spiropali në reagimin e saj.
Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit:
Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.
Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.
Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.
Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.
Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.