Edi Rama ka parë shumë prej ish-bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në qeveri të humbin betejën me drejtësinë dhe të kalojnë disa vite në qelitë e burgjeve, teksa çdo herë në opinionin publik shpërndahej ideja se gjithkush prej tyre “do të fliste dhe do të rrëzonte Ramën”.
Por pavarësisht skandaleve të njëpasnjëshme dhe shumë arrestimeve, i vetmi që vijonte të qëndronte pa asnjë shqetësim ishte kryeministri, i cili pasi kishte përdorur çdokënd prej tyre, i kishte lëshuar në dorën e drejtësisë.
Për Ramën, arrestimi i tyre tregonte mbështetjen që PS jepte për drejtësinë e re, që pas shumë vitesh i kishte dhënë fund pandëshkueshmërisë. Por, kreut i qeverisë nuk e kishte menduar kurrë që një ditë do t’i ngecte “sharra në gozhdë”.
Kryeministri i doli menjëherë në mbrojtje Ballukut pas vendimit të SPAK, ashtu siç kishte bërë me të gjithë përpara se t’i dorëzonte te drejtësia. Mbrojti Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Erion Veliajn e gjithë të tjerët, teksa fati i tyre tashmë dihet.
Por, teksa të gjithë prisnin që mbrojtja për Ballukun të ishte e përkohshme, ajo që po ndodh është e kundërta. Edi Rama ka vendosur t’i shkojë deri në fund mbrojtjes së Belinda Ballukut, edhe pse kjo do të thotë t’i kundërvihet drejtësisë së mbështetur fort nga aleatët ndërkombëtarë.
Madje, disa media kanë raportuar se mbrojtja që Rama po i bën Ballukut mund të rrezikojë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi për ndërkombëtarët dalja kundër SPAK është një vijë e kuqe.
Por, Edi Rama e tregoi sot se do të bëjë gjithçka për të mos lënë Ballukun të arrestohet, duke shpërfillur kërkesën e SPAK për arrestimin e saj. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Rama bëri të qartë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se nuk ka fare ndërmend të lejojë Niko Peleshin të mbledhë Këshillin e Mandateve.
“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, shkruan Rama.
Madje, jo vetëm që nuk do të lejojë Ballukun të dalë para drejtësisë, por ka vendosur edhe të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, duke tentuar t’i lidhë duart SPAK që të mos ketë më mundësi të pezullojë ministrat e tij, pavarësisht se janë të përfshirë në afera qindra milionë euroshe.
“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”, shkruhej në postimin e kryeministrit.
Pra, tashmë gjithçka bëhet e qartë. Edi Rama ka një arsye të fortë pse nuk po e lëshon Belinda Ballukun siç ka bërë me gjithë të tjerët.
Hipotezat janë të shumta, por të vërtetën e dinë vetëm ata të dy… ndoshta edhe SPAK!
Në fund, ajo që dihet është se Belinda Balluku nuk do të shkojë e vetme përballë drejtësisë! Ose do të shkojnë bashkë me Ramën, ose s’do të shkojë asnjë prej tyre!