Takimi me banorët që preken nga projekti TID në Durrës, Rama: Nuk do ndalet! Ata që krijojnë probleme, i shkojnë nga pas një 80-vjeçari

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me banorët e Durrësit, të cilët preken nga projekti TID.

Jashtë ambienteve të Bashkisë Durrësit, Rama u ndal në një komunikim me gazetarët, ku theksoi se projekti nuk do të ndalet, por do të ketë verifikime për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore.

“Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para, qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohës”, deklaroi ai.

Po ashtu ai u shpreh se është arritur dakordësia me 34 nga familjet që kundërshtojnë projektin, ndërsa u shpreh se pjesa tjetër që krijojnë sipas tij situata, janë të lidhur me Partinë Demokratike dhe kreun e saj.

“Me 34 qytetarë të Durrësit përfaqësues të familjeve kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë kronstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë qytetarët apo qytetin por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari, krijojnë situata që janë qesharake e që tregojnë ku është katandisur ajo farë partie”- tha Rama.