Takimi i parë i Bordit të Paqes në Uashington, liderët bëjnë foton familjare

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka bërë foton familjare me liderët që janë të pranishëm në takimin inaugurues për Bordin e Paqes në Uashington. 

Në këtë takim merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa e pranishme është edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Fjalën e mirëseardhjes do ta ketë shefi i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump. Raportohet se kryeministri Edi Rama do të jetë mes liderëve që do të mbajnë fjalim gjatë këtij takimi.

Do të ketë gjithashtu fjalime nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ndihmësit e lartë të Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladeno.

Bordi i Paqes u krijua për rindërtimin dhe stabilizimin e Gazës pas armëpushimit të fundvitit 2025. I miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ai do të koordinojë ndihmën humanitare, rindërtimin dhe sigurinë afatgjatë.

Fokusi kryesor për takimin inaugurues të Bordit të Paqes është një plan rindërtimi për Gazën, e cila është shndërruar kryesisht në rrënoja nga lufta e vazhdueshme e Izraelit. SHBA-të pritet të njoftojnë 5 miliardë dollarë fonde nga shtetet anëtare “për përpjekjet humanitare dhe të rindërtimit në Gaza”.