Supermarketet përmirësojnë normat e fitimit, pritet hyrja e “Lidl”

Zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve operojnë me norma relativisht të ulëta fitimi, të ndikuara si nga lloji i aktivitetit, ashtu edhe niveli i lartë i informalitetit në tregun e paorganizuar të pakicës.

Por dy vitet e fundit, ato kanë parë përmirësim të rezultatit financiar, i ndikuar nga përmirësimi i konsumit, i nxitur nga turizmi, dhe efektit amortizues që ka dhënë rënia e Euros në blerjen e mallrave të importit.

Njësitë e organizuara të shitjes me pakicë po marrin gjithnjë e më shumë tregun e dyqaneve të vogla, duke rritur me shpejtësi të ardhurat vitet e fundit. Në të njëjtën linjë po zgjerohen dhe fitimet e njëkohësisht po përmirësohen dhe normat e kthimit, të ndihmuara dhe nga Euro e dobët.

“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, kishte të ardhura të konsoliduara sipas të dhënave zyrtare, rreth 26.6 miliardë lekë, me rritje 8.7% në krahasim me vitin e kaluar. Fitimet u rritën me 28%, në 1.5 miliardë lekë.

Norma e kthimit u përmirësua në 6.7%, nga 5%, vitin e mëparshëm. Rrjeti i supermarketeve të “Big Market” ka njohur rritje të shpejtë vitet e fundit, duke arritur në 180 pika. Burime zyrtare nga kompania thanë se ndikim ka dhënë dhe zgjerimi i sektorit joushqimor me një gamë të gjerë – tekstile, kancelari, kopshtari etj.

-Rrjeti i supermarketeve “SPAR Albania” (pjesë e grupit BALFIN), është zinxhiri i dytë më i madh i supermarketeve në vend. Sipas burimeve nga kompania, të ardhurat e konsoliduara të rrjetit SPAR rezultojnë 18.8 miliardë lekë në vitin 2023, me rritje 16% me bazë vjetore.

Fitimi para tatimit në total i konsoliduar ishte 890 milionë lekë, me rritje 37% me bazë vjetore. Norma e fitimit u përmirësua në 4.7%, nga 4% vitin e mëparshëm.

Në fund të vitit 2023, rrjeti “SPAR” në Shqipëri numëron 80 markete, 38 markete të operuara nën menaxhimit direkt nga “SPAR Albania” dhe 42 markete, nën menaxhimin me partneritet Franchise, sipas raportit të aktivitetit. Kompania deklaron se ka në plan që në vitin 2024 të vazhdojë zgjerimin dhe të shtojë investimet në teknologji, në mënyrë që të rrisë eficiencën.

-“Conad Albania” raportoi të ardhura prej gati 4.1 miliardë lekësh, me rënie prej 5.3% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndërsa të ardhurat ranë, fitimet u rritën me 9.2%, në 594 milionë lekë. Edhe norma e fitimit u përmirësua në 14.4%, nga 12.2% vitin e mëparshëm.

Kompania pohon se kursi i këmbimit Lek – Euro (monedha kryesore e blerjes e përdorur nga kompania) ka pësuar rënie dhe për pasojë, ulja e çmimeve ka rritur blerjen mesatare, duke e përkthyer atë në volume.

“Çmimet e konsumit në vitin 2023 kanë shënuar rënie në krahasim me një vit më parë, për shkak të ndryshimit të kursit të këmbimit, por vlerat e shitjeve janë kundërbalancuar nga rritja e konsumit”, thuhet në raportin vjetor.

“Extramarket”, pasi hyri në listën e më të mëdhave sipas qarkullimit vjetor, është afër 200 më të mëdhave, edhe për fitimet. Të ardhurat u rritën me 15.2%, në 2.6 miliardë lekë. Fitimet ishin 167 milionë lekë, ose 33% më të larta, me një normë prej 6.4%.

Sipas raportit të aktivitetit, kompania ka bërë investime në infrastrukturë dhe magazina dhe ka riorganizuar shpërndarjen, transportin e kontrollin e punës, duke mundësuar rritjen e kapaciteteve tregtuese.

Rrjetet e tjera, ndonëse kanë rritur ndjeshëm qarkullimin vjetor, vijojnë të rezultojnë me fitime minimale.

“Diambe” është për të dytin vit radhazi në listën e “Monitor 200”, duke shënuar rritje të fortë me 40%, në 3.8 miliardë lekë. Shoqëria po i afrohet dhe renditjes së fitimeve, që ishin 145 milionë lekë në 2023, me zgjerim prej 30%. Zinxhiri i marketeve zbaton konceptin e “discount” në vend dhe ka filluar aktivitetin në vitin 2014.

-“Eco Market Food”, me aktivitet në fushën e prodhimit, magazinimit dhe tregtimit të prodhimeve e ushqimeve blegtorale e bujqësore, raportoi të ardhura rreth 3.4 miliardë lekësh në vitin 2023, me rritje prej 5.7% me bazë vjetore. Por kompania nuk është në listën e fitimeve, pasi rezultati para taksave ishte 95 milionë lekë, me rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar.

“Hysen Xhangolli”, shoqëria që menaxhon rrjetin e supermarketeve “Xhangolli”, ishte një hyrje e re në renditjen e të ardhurave, pas rritjes së fortë në 2023. Shoqëria raportoi të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh, me zgjerim prej 65%, pas rritjes me 38% vitin e mëparshëm. Por, fitimet ishin minimale prej 15 milionë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.

Rrjetet e tjera të pakicës

“Rossmann-Lala”, rrjeti gjermano-shqiptar i marketeve, po rezulton një nga sipërmarrjet me model të qëndrueshëm biznesi, me shtim dyshifror vit pas viti. Në vitin 2023, qarkullimi i saj vjetor arriti në 6.2 miliardë lekë, me zgjerim prej 30.3%.

Fitimet u rritën me 33%, duke arritur rekordin e 1.13 miliardë lekëve. Norma e fitimit është ndër më të lartat në njësitë e organizuara të tregtimit me pakicë, duke arritur në 16.4% në vitin 2023. Kompania ka aktivitet në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Megatek”, hipermarketi më i madh “Bëje vetë”/DIY në Shqipëri, ka raportuar të ardhura prej 3.2 miliardë lekësh në vitin 2023. Fitimet u rritën me 15%, në 524 milionë lekë në 2023. Norma e fitimit ishte 16.5%.

Sipas raportit vjetor, “Megatek” ka bërë përmirësime thelbësore në strukturën e saj të shitjes, e cila ka çuar në rritje dhe qëndrueshmëri të fitimit.

Pritet hyrja në treg e “Lidl”

Tregu i njësive të organizuara të shitjes me pakicë pritet të zhvillohet dhe më tej, teksa po bën gati infrastrukturën për të hyrë zinxhiri me origjinë gjermane i dyqaneve ushqimore me zbritje “Lidl”, që aktualisht vepron në 31 shtete dhe ka mbi 12.5 mijë njësi shitjeje.

Agjencia për Zhvillimin e Investimeve të Huaja (AIDA) ka bërë të ditur në faqen e saj të internetit se marka ndërkombëtare “Lidl”, rrjeti më i madh gjerman i supermarketeve me shtrirje në mbarë botën, ka shprehur interes për Shqipërinë.

AIDA, në bashkëpunim me Autoritetin Portual të Durrësit (APD), prej disa kohësh po ndihmon gjigantin e shitjes me pakicë “Lidl” në zgjerimin e veprimtarisë së tij në Shqipëri.

Sipas AIDA-s, kompania e ka identifikuar Shqipërinë si një treg me potencial të madh, duke e vlerësuar për orientimin e lartë të konsumatorëve drejt produkteve me cilësi të lartë dhe çmimeve konkurruese./Monitor