Kryeministri Edi Rama ka filluar të sulmojë hapur gjyqtarët, duke i publikuar me foto në rrjetet sociale, pasi ata nuk kanë marrë vendime në interes të tij apo qeverisjes së tij.
Këto sulme të papranueshme janë sjellë në vëmendjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë të drejtësisë nga kreu i ILD-së Artur Metani, i cili u shpreh në fjalën e tij se sistemi gjyqësor është nën një trysni të madhe.
Ai tha se u bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor.
“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë”, u shpreh Metani.
Por sipas tij, gjyqtarët nuk duhet të bien pre e këtyre sulmeve dhe provokimeve, por të tregohen të vetëpërmbajtur.
“Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera”, tha kreu i ILD-së.