Suedia propozon heqjen e shtetësisë për krerët e krimit të organizuar

Qeveria suedeze ka propozuar ndryshime kushtetuese që do t’i lejonin vendit të heqë shtetësinë udhëheqësve të bandave kriminale, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar krimin e organizuar që prej vitesh trondit vendin.

Në janar, një komision parlamentar kishte propozuar ndryshime për t’u hequr shtetësia personave me nënshtetësi të dyfishtë të dënuar për spiunazh ose tradhti ndaj shtetit, por pa përfshirë krimin e organizuar.

“Qeveria ka zgjedhur të shkojë përtej propozimit të komisionit, pikërisht për ta bërë të mundur heqjen e shtetësisë edhe për shembull të krerëve të bandave që janë fajtorë për dëm shumë, shumë të rëndë ndaj shoqërisë,” deklaroi ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, projektligji i dorëzuar në parlament parashikon heqjen e pasaportës personave me nënshtetësi të dyfishtë të dënuar për “krime që prekin rëndë interesat jetike të shtetit”, përfshirë krimet e rënda të bandave.

Suedi po përballet prej vitesh me dhunë të lidhur me bandat dhe përplasjet e grupeve kriminale.
Qeveria aktuale, e mbështetur nga demokratët suedezë të ekstremit të djathtë dhe kundër emigracionit, fitoi zgjedhjet e vitit 2022 me premtimin për të ulur emigracionin dhe kriminalitetin, të cilat i konsideron të ndërlidhura.

Për ndryshimin e Kushtetutës suedeze, propozimi duhet të miratohet fillimisht me shumicë të thjeshtë në parlament, të pasojë një palë zgjedhje të përgjithshme dhe më pas një votim i dytë në Riksdag. Strommer tha se synon që ndryshimet e propozuara të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2027.