“Sterilizimi”/ Shtyhet seanca për Ilir Beqajn, ish-ministri ankohet: Ende s’na është vënë në dispozicion dosja e plotë

Gjykata e Pocaçme ka shtyrë për më datë 3 qershor seancën paraprake ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe të pandehurve të tjerë në lidhje me koncesionin e Sterilizimit.

Shkak për shtyrjen është bërë mosnjohja e të pandehurve me të gjitha aktet e dosjes hetimore.

Jashtë gjykatës, ish-ministri tha se dosja nuk i është vendosur e gjitha në dispozicion. Sipas tij, mes akteve ka edhe CD dhe DVD që ende nuk i zotëron dhe njohja me përmbajtjen e tyre është e nevojshme për të bërë mbrojtjen.

“Ende nuk na është vënë në dispozicion e gjithë dosja. S’jemi njohur akoma me dosjen. Në volumet e dosjes, ka brenda edhe CD, DVD, USB, të cilat nuk mund të skanohen, kemi kërkuar të na japin një kopje, akoma nuk na është plotësuar kjo kërkese. Përderisa janë pjesë e akuzës, duhet të njihemi me përmbajtjen e tyre. Që të bëjmë mbrojtjen duhet të njihemi”, tha Beqaj për gazetarët pasi doli nga Gjykata e Posaçme. 

Rikujtojmë se Beqaj, është nën akuzë për Sterilizimin, bashkë me 8 persona të tjerë, mes tyre dhe ish-zv.ministri Rrjepaj dhe biznesmeni Rrapaj, me këtë të fundit që ndodhen në burg prej disa muajsh.