Standardi i dyfishtë i KLGJ-së, kyç gojën para sulmeve të Ramës ndaj gjyqtarëve

Teksa prej një muaji ka vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike në vend, kryeministri Edi Rama ka gjetur shtegun për të sulmuar hapur prokurorët dhe gjyqtarët e vendit.

Edhe pse shpesh herë kreu i qeverisë ka thënë se nuk komenton vendimet e drejtësisë, e kundërta ka ndodhur.

Madje dhe një ditë më parë, gjatë aktivitetit të nderimit të zjarrfikësve që luftuan me flakët në ditët e fundit lëshoi kritika të ashpra ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sipas tij kanë marrë vendime kundër interesit publik.

E para që “ra në rrjetën” e sulmeve të Ramës ishte një prokurore, Elsa Gjeli pasi kjo e fundit kishte vendosur që të mos niste hetim në lidhje me një ndërtim pa leje në zonën e Thethit. Rama kërkoi nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ndërhyjnë për të vlerësuar këtë veprim të prokurores .

I radhës që Rama sulmoi ishte gjyqtari Hazbi Balliu, i cili kishte bllokuar vendimin e konfiskimit të një pallati pa leje në Tiranë që iu dha Agjencisë së Kadastrës.

Më pas kritikoi gjykatësin Klarent Demiri për tendën e lokalit në Tiranë si dhe gjykatësin Ligoraq Toshi që lejoi që të mos prishej një ndërtim pa leje po në kryeqytet.

Janë të paktën 4 sulme që kreu i qeverisë ka bërë ndaj drejtësisë në vend, në harkun kohor të një muaji.

Por ajo çfarë bën përshtypje është se ende nuk ka një reagim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me këto sulme të drjetpërdrejta nga Rama, ndërsa duket se KLGJ po ndjek një standard të dyfishtë në këtë rast.

Po të kthehemi disa muaj më parë, ku KLGJ do të reagonte pa humbur kohë ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila u sulmua nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me dosjen “Partizani”.

Berisha e ka akuzuar gjyqtaren se është në konflikt interesi, pasi në vitin 1996 ish-kryeministri atëherë në postin e Presidentit, e kishte shkarkuar nga detyra. Madje e akuzonte Gjokën se i shërben regjimit të kryeministrit Rama.

KLGJ në një reagim në mars të këtij viti shprehej se akuzat ndaj gjyqtares Gjoka cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e saj dhe duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Por përse KLGJ ka kyçur gojën dhe nuk po reagon ende ndaj sulmeve të Ramës? A nuk po i sheh si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së gjyqësorit?

Këto janë pyetje që deri më sot kanë mbetur pa përgjigje ndërsa do të duhet të presim nëse Rama do të vijojë me sulmet, që sipas tij nuk janë presion, por deklarata për të mbrojtur interesin publik.