Detaje te reja janë mësuar në lidhje me kontrollet që BKH ka bërë sot në banesën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Burime për mediat bëjnë me dije se agjentët e BKH kanë sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës, me një vendim të GJKKO.
Një grup i agjentëve të BKH-së kanë shkuar në banesën e Veliajt tek ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë për të sekuestruar celularin, ndërsa vetë kryebashkiaku ndodhet në Gjermani. Mësohet se telefoni i Ajola Xoxës është sekuestruar në kuadër të një hetimi pasuror të nisur disa muaj më parë nga prokurori Ols Dado.
Kujtojmë se pak muaj më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj u paraqit në SPAK ku qëndroi për rreth 7 orë ku dëshmoi për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.
Ndërkohë në mars të këtij viti një tjetër aferë korruptive u zbulua në Bashkinë e Tiranës, siç ishte dosja “5D”, që çoi në pranga disa drejtorë të kësaj bashkie, konkretisht Redi Molla, Mariglen Qato dhe u dha një tjetër masë “arrest me burg” për Taulant Tushen, i arrestuar më herët për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë ‘de facto’ të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.