SPAK mbyll hetimet për dosjen ‘Meta’, merret e pandehur edhe e ëma e Kryemadhit

SPAK ka mbyllur hetimet ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit të kaluar.

Burime për mediat bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhin, ndaj së cilës nuk ka pasur asnjë masë sigurie. 

Fatime Kryemadhi është paraqitur sot në SPAK për tu njohur me akuzën, bashkë me Ema Çokun, si edhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho.

Ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë 3 akuza: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Pavarësisht akuzave të njëjta, ndaj Kryemadhit ka një masë më të butë sigurie, “ detyrim paraqitje”.

Kujtojmë se Ilir Meta e ka cilësuar procesin ndaj tij farsë, ndërsa ka deklaruar se mezi po pret të përballet në gjyq.