Në kuadër të hetimit pasuror që ka nisur për çiftin Meta-Kryemadhi, SPAK ka dërguar letërporosi në Britani.
Gazetarja Anila Hoxha ka deklaruar sot se SPAK po kërkon të marrë informacion për sa i takon shkollimit të fëmijëve dhe udhëtimeve që kanë bërë familjarisht.
“Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dërguar së fundmi letërporosi edhe në Britaninë e Madhe për të marrë informacion shterues sa i takon shkollimit dhe udhëtimeve nga njëra anë të çiftit Meta dhe shkollimit të fëmijëve të tyre.
Është një veprim i kryer nga SPAK së fundmi siç ka dërguar letërporosi në Qipro, sa kohë ka përcjellë një informacion të vakët sa i takon lobimit me kompaninë qipriote dhe meqenëse informacioni ka qenë disi i cunguar, SPAK ka vlerësuar se duhet të komunikojë sërish bazuar në marrëdhëniet juridiksionale të shteteve përkatëse për të përfituar informacion”, tha Hoxha.
Kujtojmë se një javë më parë Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta u paraqitën në SPAK në dy ditë njëri pas tjetrit, ndërsa pasi u mbajt tre orë në zyrat e prokurorëve, ish presidenti tregoi për çfarë e kishin pyetur mbi pasurinë. Ndër të tjera ai tha se përgjatë viteve kur ka qenë i martuar ai bënte politikë kurse llogaritë në familje i mbante Kryemadhi.