SPAK kopsiti dosjen dhe i zbuloi korrupsionin/ Erion Veliaj vijon propagandën nga burgu

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar me urdhër të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash vijon të shpërndajë propagandë edhe nga qelia e paraburgimit në Durrës.

Ai thekson se dosja ndaj tij është kopsitur “enkas” për ta mbajtur larg punëve të kryeqytetit. Më tej, duke harruar përpak çaste qelinë, Veliaj thotë se i gëzohet faktit, që puna për ndërtimin e shkollave në Tiranë vijon.

“Edhe pse i burgosur pa gjyq, me një dosje të kopsitur enkas për të më mbajtur larg punëve të qytetit, puna për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë nuk ndalet!Shkolla e re “Edith Durham” është e 48-ta në buqetën e godinave arsimore (9-vjeçare dhe gjimnaze) që kemi ndërtuar së bashku në Tiranë, e më gëzon fakti që puna aty po vijon njësoj, me ritme të shpejta, për ta pasur gati në shtator për fëmijët.Forca!”, shkruan ai.

SPAK ka zbardhur skemën se si Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij në të paktën 10 raste kanë kryer veprime korruptive, si dhe pastrim parash. Sipas SPAK, fonde publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar tek Ajola Xoxa dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo.

Ndërkohë janë sekuestruar llogaritë bankare të Ajola Xoxës në shumën 869 mijë euro si dhe nga kontrollet në qendrën Harabel janë gjetur 95.350 euro, 14.900 dollarë dhe 665 mijë lekë, të cilat po ashtu janë sekuestruar.

SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

Pas kësaj, Kryebashkiaku i Tiranës ka sulmuar hapur prokurorin e çështjes, Ols Dadon, të cilin e ka cilësuar si “prokuror epsharak” që merret me fustanet e grave.