SPAK kërkon ta arrestojë, Këshilli i Mandateve mblidhet sot për të vendosur fatin e Belinda Ballukut

Pas shumë shtyrjesh nga mazhoranca me justifikime nga më të ndryshmet, Këshilli i Mandateve do të mblidhet sërish sot për të vendosur mbi kërkesën e SPAK për të lejuar arrestimin e zv.kryeministres së pezulluar, Belinda Ballukut.

Vendimi për zhvillimin e mbledhjes erdhi pas presionit ndërkombëtar për të trajtuar këtë çështje sa më shpejt, pasi për Bashkimin Europian, lufta kundër korrupsionit është pikë kritike për anëtarësimin e Shqipërisë.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro.

Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ministren.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Mandateve , prokurorët e SPAK pritet të paraqesin prova të reja që rëndojnë pozitat e Ballukut, për të cilën kërkojnë ta arrestojnë, pasi dyshohet se mund të prishë provat apo arratiset.