Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin dhe kontrollinj e banesës ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj.
Ish-ministri i Financave akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme në aferën e inceneratorëve.
Disa ditë më parë Ahmetaj u paraqit në në SPAK, ku për rreth 6 orë u pyet nga prokurorët në lidje me këtë aferë. Më herët, pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj. E Palasës është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Albina Mençka, por e poseduar me emrin e shoqes së kësaj të fundit Elda Dine. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj i përket Arjola Hoxhës, bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj.
Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në 8 mars, kontrolle të cilat u konsideruan të paligjshme dhe antikushtetuese nga Ahmetaj, por që e njëjta gjykatë, me të njëjtën trupë gjykuese, refuzoi shqyrtimin e ankimit. SPAK ka dyshime se dy godinat janë krijuar në burime financiare të jashtëligjshme dhe masa e sekuestros është marrë për të mos lejuar tjetërsimin e pronave.
Ka qenë vetë Arben Ahmetaj që konfirmon akuzat në ankimin e bërë prej tij, lidhur me kundërshtimin e kontrollit të banesave nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në këtë ankim, theksohet njëherësh se procedimi panel nr 771/1 për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me inceneratorin e Elbasanit, dhe ai nr 30 për pastrim parash dhe korrupsion, pas kallëzimit që i është bërë për vilën në Hammallaj, janë bashkuar në një të vetëm.
Ndërkohë, përveç kontrolleve dhe sekuestrimit të dokumentave që kanë të bëjnë me blerjen e pasurive apo ndërtimin e tyre, SPAK ka vijuar me marrjen në pyetje të disa personave. SPAK ka analizuar veprimet e Ahmetajt për procedurën e koncesionit që është dhënë në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. SPAK ka mbledhur prova e të dhëna, përfshirë edhe ato nga kompjuterat e sekuestruara dhe të e-maileve, që janë shkëmbyer mes Ahmetajt dhe fituesve të koncesionarit të inceneratorit të Elbasanit.
Verifikime janë bërë edhe në sistemin TIMS për të provuar lëvizjet e ish-ministrit, hyrje-daljet e tij dhe nëse përkojnë me periudhat kur dyshohet se ka frekuentuar hotele dhe pushime luksoze me fatura të paguara nga Klodian Zoto pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, apo udhëtimet që mund të ketë me këtë shtetas, si dhe dy biznesmenët e tjerë të shpallur në kërkim, Stela Gugallja e Mirel Mërtiri. Dosja për inceneratorin e Elbasanit është ndarë në dy fraksione teksa për çështjen e parë janë marrë të pandehur 11 persona.
Fraksioni i dosjes ku bën pjesë Arben Ahmetaj është regjistruar shtatorin e kaluar ndërsa përveç tij, figurojnë edhe persona të tjerë që kanë patur rol në procedurat e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit. Më 14 prill 2014, pasi firmosi procedurat për koncensionin e inceneratorëve në cilësinë e ministrit të Ekonomisë dhe më pas ka lëvruar fondet publike në cilësinë e ministrit të Financave, Zoto ka dyshime ti ketë paguar Ahmetajt shpenzimet e tij dhe të bashkëshortes. Dyshohet se ato kanë të bëjnë me mbulimin e udhëtimeve dhe akomodimin në hotele me 5 yje të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij i përkasin periudhës 2015-2016. Ahmetaj është nga personat e fundit që pyetet lidhur me hetimet ndaj tij, teksa SPAK është drejt përfundimit të hetimit dhe mbajtjes së një qëndrimi konkret.