“SPAK ka vdekur”, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit “homazhe” me kurora me lule e qirinj para Prokurorisë së Posaçme

Në një formë simbolike, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka protestuar sot para SPAK.

Kjo e fundit sipas tyre ka “ndërruar jetë” dhe se nuk ka bërë asgjë sa i takon dosjes së prishjes së Teatrit Kombëtar, 4 vite më përpara.

Ata kanë vendosur qirinj dhe kurora me lule, për të përcjellë mesazhin e tyre.

Në kurorat me lule, shkruhej: “Po Rama dhe Veliaj janë mbi ligjin?”, “SPAK, çfarë numri i do syzet që të shohësh mullarin e provave”, “SPAK nuk heton zulin e pushtetarëve etj”.

Anëtarët e kësaj aleance kanë thënë se kreu i SPAK, Altin Dumani nuk ka marrë parasysh kërkesën e tyre për përjashtimin e prokurorit Ervin kondili, i cili nuk po heton këtë dosjen.

‘Altin Dumani është fajtor, pasi ne kërkuam që prokurori Kondili të mos ishte pjesë e dosjes duke e zëvendësuar me një prokuror tjetër. I kemi thënë zotit Dumani meqë kjo dosje prej 4 vitesh fle në zyrën e Kondilit dhe ne i kërkojmë që ta zëvendësojë’- tha mes të tjerash avokatja Adriana Kalaja në një deklaratë për mediat.