SPAK i gjeti në shtëpi shuma të mëdha parash dhe piktura të shtrenjta, si Evis Berberi i dha qindra milionë lekë ish-firmës së tij

Evis Berberi, ish-kreu i ARRSH-së që u arrestua nga policia me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, mbante në shtëpi shuma të konsiderueshme lekësh.

Kontrolli i SPAK dhe agjentëve të BKH-së rreth 2 javë më parë i ka gjetur atij edhe disa piktura të shtrenjta, të cilat janë konsideruar si rryshfete të marra nga ai për të favorizuar disa kompani në tendera.

Ish-kreu i ARRSH-së, një nga njerëzit më të besuar të ministres Belinda Balluku, akuzohet se ka favorizuar ish-firmën e tij për të marrë më shumë se 300 milionë lekë në tendera, por dyshohet se është i përfshirë edhe më afera të tjera korruptive.

Evis Berberi rezulton pronar me 20 për qind të kapitalit të firmës “DAAM shpk” nga 14 Shtatori 2018 deri më 31 Janar 2019. Kësaj firme ai është kujdesur që t’i japë fonde nga buxheti i shtetit, nëpërmjet tenderave të ndryshëm.

Gjatë drejtimit të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë, Evis Berberi, pajisi si Auditues të energjisë në ndërtesa, auditues së energjisë në instalime industriale, dhe menaxher të energjisë, personin i cili i bleu kompaninë DAAM shpk, raporton emisioni Vetting.

Pra, pronari aktual i DAAM shpk ka përfituar nga Evis Berberi, pronar i mëparshëm i të njëjtës shoqëri tregtare, vlerën 322 milion lekë të vjetra paguar Qeveria shqiptare.

Gjithashtu Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7.

Pronarët në letra të dy kompanive fituese janë Arbër Abazi dhe Artan Sako. Arbër Abazi është nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi. Artan Sako është vëllai i ish-kreut të Gardës, Gramoz Sako. Këto çështje po hetohen nga SPAK, me dyshimin se fituesit kanë qenë të paracaktuar.

LEXO EDHE: Arrestohet ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash