Elton Qyno
Një bazë kibernetike është asgjësuar brenda ambjenteve të kampit “Ashraf 3”, e cila ka ngritur dyshime të forta se përdorej nga anëtarët e MEK, për të kryer sulme kibernetike ndaj vendeve të huaja.
Informacionet për këtë aktivitet kriminal, kanë mbëritur në Shqipëri disa muaj më parë, duke bërë që forcat e antiterorit në Policisë e Shtetit, SHISH dhe prokuroria e Posaçme SPAK, të nisin një procedim penal, për akuzën e sulmeve kibernetike si formë e aktit terrorist, ndaj një vendi të huaj.
Mësohet se dhjetëra kompjutera janë sekuestruar dhe tashmë janë çuar për ekspertim kebernetik në laboratorin shkencor të SPAK.
Por pavarësisht kësaj situate, çuditërisht asnjë nga anëtarët e MEK, nuk është arrestuar nga policia dhe SPAK.
Disa nga pjesëtarët e kampit “Ashraf 3” në Manzë dyshohet se kanë kryer aktivitet kibernetik kundër një vendi të huaj Aziatik, por nga ana tjetër SPAK ditën e djeshme nuk ka vepruar me arrestimin e tyre.
Mbase një veprim i tillë është lënë për një moment të dytë, por SPAK nuk e ka aksionin e vetëm të kësaj natyre ndaj anëtarëve të MEK.
Jo më larg se një vit më parë, në 15 korrik 2022 SPAK, dhe agjentët e antiterorit, ushtruan kontrolle në zyrat e një shoqate të drejtuar nga një ish-anëtar i MEK, i quajtur Hassan Heyrani, dhe në 11 Apartamente të shpërndara në Tiranë që janë në përdorim të këtyre shtetasve iranianë, dhe në dy makina të po këtyre personave.
Kontrolli në atë periudhë u justifikua nga SPAK pas dyshimeve se rreth 20 ish-anëtarë të MEK, dyshohet se paguhen nga ana e shërbimeve sekrete iraniane dhe Garda Revolucionare Iraniane, për marrjen e informacioneve mbi dhe kryerjen e veprimeve kriminale kundër muxhahedinëve që jetojnë në Manëz.