Në Kuvend sot do të zhvillohet seanca e fundit parlamentare për këtë vit, sipas kalendarit të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve.
Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe në rendin e ditës përmban miratimin e disa projektligjeve, teksa ka edhe një mocion me debat për luftën ndaj krimit të organizuar.
Gjithashtu para deputetëve do të betohet Avokati i Popullit, Endri Shabani, i cili u zgjodh me 85 vota në seancën e kaluar.
Por pavarësisht rendit të ditës, ajo që pritet të shkaktojë më shumë debate është çështja e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon nga Kuvendi të autorizojë heqjen e imunitetit, për ta arrestuar më pas.
Këshilli i Mandateve do të mblidhet ditën e nesërme në orën 10:30 për të diskutuar mbi heqjen ose jo të imunitetit të Ballukut, teksa më pas çështja do t’i kalojë seancës plenare për votim.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se forca e ti politike do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për t’i hequr imunitetin Ballukut, për të mos e lënë votimin në muajin Janar.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti qindra milionë euro.
Ndërkohë, në përgjimet e publikuara dje, tregohej se i përfshirë ishte edhe vetë kryeministri Edi Rama në ndarjen e tenderave, por SPAK ende nuk ka marrë asnjë masë për të.