Sot në Apelin e Posaçëm mbahet seanca për Safet Gjicin, ish kryebashkiaku dërgohet me urgjencë në spitalin privat

Sot në Apelin e Posaçëm mbahet seanca për ish kryebashkiakun Safet Gjici si dhe për Alma Kaçin.

Pasi ka dëgjuar të dyja palët, në orën 14:00 gjykata do të vendosë pranimin ose rrëzimin e kërkesës së Gjicit, i cili kërkon pafajësi, duke kundërshtuar dënimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme. Nga ana tjetër SPAK kërkon dënimin e Gjicit me 4 vite e 6 muaj burg.

Ndërsa pritet shpallja e vendimit ditën e sotme, mësohet se ish kryebashkiaku Gjici është shtruar me urgjencë në një spital privat në kryeqytet, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore ditët e fundit.

Safet Gjici dhe Alma Kaçi u morën nën hetim lidhur me video-skandalin në zyrën e bashkisë, ku dyshja kryen marrëdhënie seksuale. Video skandali nga ambientet e zyrës së bashkisë Kukës u publikua në qershor të 2023-it.

GJKKO e ka dënuar ish kryetarin e Bashkisë Kukës me 3 vite burg për shpërdorim detyre, ndërsa Kaçin me 1 vit e 6 muaj, e reduktuar në 1 vit burg për shkak të gjykimit të shkurtuar, për akuzën e “Prostitucionit”.

Të dy, përfituan më pas nga gjykimi i shkurtuar.Avokatët nga ana tjetër, kërkojnë pafajësi për Gjicin dhe Alma Kaçin.