Sot merret në pyetje nga prokurorët, Meta: Jam akoma në qeli, mezi pres të takohem me ‘kolegët’ e megahajdutëve të regjimit

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se ende nuk ka shkuar në SPAK ku pritet që të merret në pyetje nga prokurorër e posaçëm. Në një reagim në rrjete sociale, ai thotë se është ende në qelinë numër 5, i gatshëm për të shkuar në SPAK edhe pse siç thotë ai “lajmërimin e kam marrë nga mediat e regjimit dhe jo sipas procedurave ligjore”.

Meta pritet të merret në pyetje si person në hetim, lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

“Rreth 15 minuta më parë mediat e regjimit mashtruan duke pretenduar se unë kam hyrë në ambientet e SPAK. Nuk është e vërtetë.

Unë akoma jam në qelinë Nr.5, i gatshëm që në ora 10:00 për të shkuar në SPAK edhe pse lajmërimin e kam marrë nga mediat e regjimit dhe jo sipas procedurave ligjore.

Mezi po pres të takohem me “kolegët” e megahajdutëve të regjimit më të korruptuar në kontinent dhe pas seancës reciproke të pyetjeve në SPAK, jam i hapur t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve”- shkruan Meta.