“Sot kemi dy zjarre kritike”, Peleshi ia hedh fajon rrjetit të monitorimit: Njoftojnë kur zjarri shkon në qiell

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka kritikuar kryetarët e bashkive në vend, pasi sipas tij disa prej tyre kanë vendosur në krye të Emergjencave Civile, persona që nuk jua dinë as emrin.

Në një prononcim lidhur me zjarret që kanë përfshirë Fierin dhe Vlorën Peleshi ngriti kritika edhe për kryetarët e bashkive që nuk i shkuan në takim, për të cilët tha se shpreson që ose të jenë në krye të detyrës ose t’i dinë mirë të gjitha detyrat.

Peleshi pranoi se sot kemi dy zjarre aktive shumë kritike ndërsa fajin jua adresoi edhe personave të monitorimit që sipas tij nuk funksionojnë siç duhet.

“Falenderoj kryetarët e bashkive që kanë ardhur në këtë takim shpresoj që kryetarët që nuk janë këtu ose të jenë në krye të detyrës ose mbase i dinë të gjitha mirë detyrat që u ngarkon ligji në raport me këtë ekspozim ndaj emergjencës më kritike të stinës, që janë zjarret.

E vërteta është që ka edhe bashki që nuk e kanë parësore punën e emergjencave civile e quajnë si punë të dorës së dytë. Kanë emëruar një person që nuk ja dinë as emrin dhe mendojnë që kështu bëhet. Nëse ndodh një emergjencë ka një Big Brother që mendon, kur zjarri shkon në qiell ka një numër telefoni, i bien telefonit të qendrës dhe kërkojnë  helikopterin.

Por duhet thënë që sa herë që ka një zjarr të madh, ka një lloj dështimi nga rrjeti i monitorimit dhe i sinjalizimit të hershëm. Nuk ka shans që nëse ky rrjet funksionon siç duhet, duke filluar nga kryepleqtë e fshatrave apo sensibilizimi i komuniteteve. Nëse njoftohet herët nuk ka mundësi që zjarri të marrë përmasa të mëdha.