Shqipëria përkujton sot 81-vjetorin e Çlirimit. Si çdo vit, figurat më të larta të shtetit do të zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e atyre që luftuan për liri.
Kryeministri Edi Rama ka uruar ndjekësit në rrjetet sociale, teksa ka ndarë edhe një foto nga Memoriali “Nëna Shqipëri”.
“Mirëmëngjes dhe me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.
Këtë datë politika e feston e ndarë pasi 29 Nëntori është festë vetëm për të majtën, ndërsa e djathta feston 28 Nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në territorin e saj hynë forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.