Skenaret e Trump e Biden, pse politika amerikane është plakur kaq shumë

Nga Alessio Marchionna “Internazionale”

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshajër, që i hapi atij rrugën drejt nominimit si kandidati zyrtar i Partisë Republikane, konfirmoi diçka që e kanë vënë re prej kohësh ata që merren me Shtetet e Bashkuara: politika elektorale amerikane po bëhet e mërzitshme.

Pati një bujë momentale, kur sondazhet treguan rritjen e ndjeshme të Ron DeSantis, midis fundit të vitit 2022 dhe fillimit të 2023. U duk si shenja e fundit e atij vitaliteti që lejon periodikisht daljen në skenën kombëtare të figura të reja dhe përçarëse (Ronald Regan në vitin 1980, Bill Klinton në vitin 1992, Barak Obama në vitin 2008, Donald Trump në 2016-ën).

Zgjati shumë pak, dhe ishte e mjaftueshme për të kuptuar se kandidatura e DeSantis nuk ishte as e re dhe as përçarëse. Pra për më shumë se një vit më pas, amerikanët e kanë marrë si të mirëqenë që zgjedhjet presidenciale të 2024-ës do të jenë një përsëritje e atyre të 2020-ës.

Një sfidë mes dy politikanëve që të gjithë i njohin, dhe për të cilët të gjithë e tashmë kanë një mendim.

Kjo natyrë statike, përbën një problem serioz para së gjithash për mediat, të cilat humbasin shikues e lexues, dhe për rrjedhojë reklamat dhe paratë. Pas zgjedhjeve paraprake në Nju Hempshajër, është vënë re se ka më pak gazetarë të angazhuar se zakonisht, dhe se shumë aktivitete të fushatës janë zhvilluar me lodhje, pa entuziazmin që është përgjithësisht i pranishëm në këtë fazë të zgjedhjeve.

Niki Halej, sfidantja e vetme e Trump, e nisi një takim 10 minuta më herët dhe u largua 3  minuta pas fillimit të planifikuar të aktivitetit elektoral, ndërsa disa gazetarë ishin ende duke mbërritur. Televizioni CBS kishte planifikuar që në vjeshtë të vitit të kaluar një debat midis kandidatëve republikanë në Nevada në shkurt, por e anuloi atë nga frika se deri atëherë gara do të ishte vendosur tashmë.

Gjatë muajve të ardhshëm, gjyqet e Trump do të jenë një element i pa parashikueshëm, por është e qartë se edhe ai nuk mund të tërheqë vëmendjen dhe të krijojë interes, siç bëri 8 vjet më parë kur kandidoi për herë të parë. Pjesërisht, ishte vetë Trump që u distancua nga qendra e vëmendjes, duke refuzuar të merrte pjesë në debatet televizive me kandidatët e tjerë në zgjedhjet paraprake (një strategji që në nivelin politik funksionoi), kjo edhe që ai të rikthehej në Twitter kur të kishte mundësi.

Më pas ndryshoi edhe qasja e shumë mediave, pas vitesh të tëra debati se si duhet të trajtohej një politikan kaq i diskutueshëm, dhe që në një moment u bë edhe i rrezikshëm. Mekej Kopins shkroi në “The Atlantic”: “Rrjetet kryesore kabllore nuk i transmetojnë drejtpërdrejt fjalimet e tij si dikur, nga frika se mos akuzohen për përforcim të gënjeshtrave të tij.

Këto ditë, Trump ekziston në mendjet e shumë amerikanëve si një siluetë e mjegullt, e përbërë nga koncepte të paramenduara dhe përshtypje të vjetruara, dhe jo si një person real që i tregon çdo ditë vendit se kush është dhe çfarë do të donte të bënte në një mandat të dytë”.

Por arsyeja kryesore e rënies së interesit është ndoshta se edhe Trump është bërë i mërzitshëm. Ai duket si ato grupet e vjetra të muzikës rok që shkojnë në turne me një album të ri, provojnë diçka nga repertori i ri, por kryesisht luajnë vetëm hitet që publiku i njeh. Tubimi që organizoi më 19 janar në Konkord, Nju Hempshajër, i kishte të gjitha elementet e daljeve të tij publike të 8 viteve të fundit: ai sulmoi kundërshtarët e tij republikanë tashmë të pashpresë për nominimin; u ankua për akuzat e “Russiagate”, hetimin e vitit 2016 për marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe bëri thirrje për dënimin me vdekje të personave të dënuar për trafik droge.

Një mbështetës këndoi frazën “Ndërto murin”, të tjerë bërtitën “Arrestoje atë”, (një slogan që dikur shigjetonte Hillari Klinton, dhe sot zëvendëspresidenten Kamala Harris). Po të mos të ishin referenca për zgjedhjet e vitit 2020 dhe gjyqet në vazhdim, do të ishte e vështirë të kuptohet se në cilin vit jemi”.

Të dhënat mbi audiencën dhe leximin në median e shkruar dhe internet, e konfirmojnë rënien e vëmendjes. Trafiku i lajmeve politike në faqet e internetit ka rënë ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet paraprake të viteve 2020 dhe 2016.

Ndjekja e takimeve në Ajoua ishte shumë e ulët. Në këtë aspekt nuk shpëtoi as Fox News, televizioni që njihet si mbështetës i krahut të djathtë dhe që praktikisht e promovoi karrierën politike të Donald Trump.

Kjo lodhje mund të jetë një problem veçanërisht për demokratët, të cilët shpresojnë për një fushatë elektorale të fokusuar tek ish-presidenti, në mënyrë që të fshehin dobësitë e Bajdenit dhe që të jenë në gjendje t’i shndërrojnë këto presidenciale si një zgjedhje midis mbrojtjes së demokracisë dhe rrezikut të një kthesë drejt autoritarizmit.

Por shkëputja e një pjese të rëndësishme të opinionit publik nga politika kombëtare, duket se shkon përtej ciklit aktual zgjedhor. Një faktor ka që të bëjë me rritjen e moshës mesatare të politikanëve, e cila bllokon qarkullimin e brezave dhe e vë theksin tek ndjenja e një sistemi më pak dinamik.

Është folur shumë për moshën e thyer të Bajden (81-vjeç) dhe Trump (77-vjeç), të cilët edhe kur u zgjodhën në mandatin e tyre të parë ishin 2 presidentët më të moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara, dhe që tani janë sërish përballë njëri-tjetrit. Por problemi i moshës ka të bëjë me të gjithë klasën politike në nivel federal.

Fintan O’Tull shkroi në “New York Review of Books” se Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më shumë i ngjajnë një gerontokracie (sundimit të të moshuarve). “Në vitin 2014 ata zgjodhën kongresin me moshë mesatare më të madhe në historinë e vendit. Rekordi nuk zgjati shumë, pasi u thye në vitin 2016. Dhe pastaj sërish në vitin 2018. Dhe prapë në 2020-ën, kur çuditërisht shumica e drejtuesve në detyrë që humbën vendet e tyre në Senat apo Kongres u zëvendësuan nga persona edhe më të moshuar.

Në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022, Kongresi pati një moshë mesatare pak më të re (mosha mesatare e kongresmenëve ra me 1 vit, nga 59 në 58 vjeç), por mosha mesatare e senatorëve vazhdoi të rritet dhe tani është mbi 65 vjeç. Ndërkohë sa për krahasim, mosha mesatare e deputetëve të Parlamentit Evropian të zgjedhur në vitin 2019 është 50-vjeç.

Në Kanada, mosha mesatare e Dhomës së Komunëve është 52-vjeç. Në Parlamentin Australian është 51-vjeç”.

Sipas sondazheve, 79 për qind e amerikanëve janë në favor të vendosjes së kufijve të sipërm të moshës për zyrtarët e zgjedhur në Uashington, ndërsa 74 për qind janë pro një kufizimi të tillë edhe për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Një tjetër faktor ka të bëjë me një sistem politik, të cilin shumë njerëz e konsiderojnë shumë të ngurtë, pasi i detyron amerikanët të bëjnë një zgjedhje vetëm midis dy partive, dhe që mund të shmangë alternativat e mundshme politike. Vitet e fundit është rritur numri i votuesve që kanë një opinion negativ për partitë e mëdha, sidomos në mesin e atyre që janë nën të 30-at dhe që priren të votojnë për demokratët. Janë pikërisht ata që do të donin një mundësi më të madhe zgjedhjeje.